Të jesh intelektual në Tiranë, do guxim! Të jesh intelektual në Tiranë kërkon ta ngresh gotën e verës bindshëm, fisshëm, e me eks! Nuk ka gjë që nuk zgjidhet duke kuvenduar ethshëm, mundësisht duke perifrazuar ndonjë batutë solidariteti, nën shoqërinë e një gote vere, e duke dredhur ndonjë cigare…
Flakët të bien, jo këmbana alarmi centralizimi pushteti, apo pushtimi nga diskurse politike që janë hegjemoni e pastër e djathtë (neoliberale), të kemi gotën e verës, mundësisht në oborrin e ndonjë shtëpize qerpiçi e gjthçka zgjidhet. Do thoni ju, po si?
Po ja ashtu në dehje e sipër, do dalë ndonjë post për ndonjë rrjet social, ku do gjeni shfryrjen e intelektualëve të kohës për gjithçka nuk shkon, me të gjitha notat fisnike të verës, e do ju thërrasin ti ndjeni në dhimbje. Në sheshe nuk zbresin dot, se dhe ata, si ne kanë angazhime të forta profesionale, shtrënguese sa pa fryme i lënë…Por në darkë, për ju që tëhuajzoheni për kafshatën e përditshme do të shkruajnë! Momenti i vetëm, kur bëjnë thirje të majta për solidaritet, sepse pse jo? Të jesh i majtë të fut në një rol në modë, e gati epshndjellës me thirrje të përshpirtshme për empati ndaj padrejtësisë së tyre! E këtu pa lindur akoma, vdes dhe përgjegjësia qytetare intelektuale!
KUJDES! Vetëm nëse preken edhe interesat e tyre, apatia është e gabuar, e bashkimi e solidariteti në protestë është i drejtë, përndryshe, ky popull merr atë që meriton, se atë voton!
Kësisoj, vazhdojmë këndellemi me pak verë të mirë nga kantinat më të mira shqiptare, se në shenjë solidaritëti, konsumojmë vetëm prodhim vendas të njëlloj cilësie!
Intelektualizimi kudo është proces, sasia e eksperiencës bibliografike e profesionale, këtu, është gjendje! Stad e pike mbërritje pa premisa zhvillimi të mëtejshmëm, po vetëm përsiatje ruajtjeje Status Quo-je! E jo gjendje dosido, se do njëfarë pjekjeje në zanatin e somelierit, ndër të tjera! Kollaj ju duket?
P.S: Ju falem paraprakisht nëse nuk kam shpalosur të gjithë asetet e larmishme të gjuhës mëmë siç duhet…Duhet akoma të piqem e të rrek gjendjen e intelektualit.
Zotohem të përmirësoj e marrëdhëniet me verën në të ardhmen! Hajde Ymër!
Lascia un commento